10 PËRBËRËSIT MË TË FUQISHËM NGA K-BEAUTY QË LUFTOJNË SHENJAT E MOSHËS!

Përshëndetje!

Kësaj here dua të nisim direkt me temën… Një nga problematikat kryesore që na keni adresuar gjatë komunikimeve tona, përveç akneve, është parandalimi dhe lufta kundër shenjave të moshës! E di shumë mirë se sa e vështirë është të gjenden produktet e duhura për shenjat e moshës. Pikërisht, sot kam vendosur t’ju flas për përbërësit më të famshëm të K-Beauty, që i adresohen pikërisht kësaj problematike të rrudhave që shfaqen me kalimin e moshës.

Një nga përbërësit më të famshëm të momentit, sidomos në perëndim, në SHBA & Europë, është retinoli, sigurisht edhe disa prej derivateve të tij. Por, nëse i njihni produktet koreane, duhet të keni vënë re se ky përbërës, nuk gjendet shpesh në formulimet e tyre. Markat koreane kanë një qasje të ndryshme nga markat europiane dhe amerikane, duke krijuar produkte sa më miqësore dhe të buta për lëkurën, dhe jo me përbërës agresiv, siç është edhe retinoli. Kjo nuk do të thotë se produktet koreane nuk janë po aq efektive ndaj rrudhave të holla apo të thella, dhe të gjithçkaje tjetër që vjen si pasojë e kalimit të moshës. Ekzistojnë shumë përbërës të fuqishëm anti-rrudhë ose anti-moshë, që gjenden në to. Më poshtë kam zgjedhur 10 përbërësit më të fuqishëm, duke përfshirë edhe disa sugjerime produktesh.

  • Acidi Hialuronik

Acidi hialuronik është një përbërës, që gjendet në indet njerëzore, përfshirë edhe atë lëkurës. Kjo molekulë është esenciale për formimin e kolagjenit dhe të fibrave elastike, për ta mbajtur lëkurën të hidratuar. Ndryshimet e acidit hialuronik në lëkurë, kontribuojnë në plakjen e saj. Disa nga produktet më të dashura edhe nga ju, por edhe nga gjithë gocat e stafit tonë janë: THE PLANT BASE Waterfall Moist Balanced Hyaluronic Acid 100

& toneri hidratues nga marka japoneze, HADA LABO Gokujyun Hyaluronic Acid Lotion Moist për lëkurën e thatë, dhe versionin light për lëkurën e yndyrshme.

  • Keramidet

Lëkura është e përbërë nga 3 elementë kryesor: uji, proteinat dhe lipidet. Keramidet janë pjesë e lipideve, që bëjnë të mundur bashkimin e proteinave të lëkurës, duke e bërë atë të duket më e tërhequr dhe më rinore! Keramidet gjithashtu, forcojnë barrierën mbrojtëse të lëkurës, duke minimizuar mundësinë e dëmtimit të saj. Ato mbajnë lagështinë e nevojshme brenda shtresave të lëkurës. Dy nga produktet që do të veçoja me përmbajtje keramidesh, janë: KLAIRS Fundamental Watery Oil Drop, që përveçse keramide, përmban edhe çaj jeshil, peptide si dhe ekstrakte fermentesh të ndryshme. Ka një konsistencë të butë dhe përdoret si një serum i zakonshëm. 

Produkti tjetër është kremi në formë balmi, COSRX Balancium Comfort Ceramide Cream, që përmban gjithashtu edhe ekstrakt nga bima centella asiatica, për të qetësuar skuqjen dhe irritimin e lëkurës.

  • Peptidet

Peptidet janë përbërës gjithashtu shumë efektiv, dhe gjenden shpesh në formulimet e produkteve koreane. Ato ndihmojnë shumë në të gjithë procesin e parandalimit të formimit të rrudhave. Për të kuptuar se çfarë janë peptidet, le të bëjmë pak kimi të thjeshtuar, duke ju shpjeguar se ato janë zinxhirë amino acidesh, pjesë e proteinave në lëkurë. Peptidet kanë aftësi të penetrojnë shtresën sipërfaqësore të lëkurës dhe të dërgojnë sinjale tek qelizat. Një proteinë e rëndësishme e lëkurës tonë është kolagjeni, i cili i jep asaj tendosje dhe ushqim. Kur niveli i kësaj proteine bie në lëkurë, formohen rrudhat. Në këtë rast, peptidet dërgojnë sinjale qelizave për të nxitur prodhimin e kolagjenit të ri. Një produkt shumë special për zonën e syve, që shumë vajza të KORAL-it i ka mrekulluar, është: BENTON Fermentation Eye Cream!

  • Niacinamide

Një nga përbërësit anti-rrudhë më të dashur dhe të përhapur në K-Beauty është vitamina B3, ose siç njihet gjerësisht niacinamidet. Një nga vetitë e tyre në lëkurë, është aftësia për të forcuar barrierën mbrojtëse, duke ruajtur të gjithë lagështisë brenda shtresave të lëkurës.  Niacinamidet gjithashtu zbardhin njollat dhe hiperpigmentimin e lëkurës, dhe ashtu si retinoli, (që nuk preferohet prej irritimit, që mund t’i shkaktojë lëkurës), është provuar se nxisin në mënyrë shumë të fuqishme prodhimin e kolagjenit në lëkurë. Niacinamidet mund të gjenden në shumë produkte koreane, si: larës, toner, serum, krem për zonën rreth syve etj. Sot, doja të veçoja dy nga produktet anti-rrudhë shumë të fuqishëm në koleksionin tonë, i pari është serumi: MISSHA Time Revolution Night Repair PROBIO Ampoule

dhe sëfundmi, sapo kemi futur në koleksionin tonë, kremin: NEOGEN Agecure Antiager Facial Top Coat.

  • Vitamina C

Vitamina C është gjithashtu një nga përbërësit më të përdorur në Industrinë e Bukurisë, dhe sidomos në K-Beauty. Vetitë e saj kryesore janë, zbardhja e njollave dhe hiperpigmentimit në lëkurë, gjithashtu shërben si një agjent I fuqishëm antioksidant, që lufton radikalet e lira. Mund ta përdorni në çdo kohë, si në darkë ashtu edhe në mëngjes. Do ta sugjeroja ta kombinonit në mëngjes me kremin me faktor mbrojtës ndaj diellit, sepse është provuar, që të dy sëbashku, rrisin vetitë e njëri-tjetrit. Një nga serumet, me përqindje të moderuar me 5% vitaminë C, dhe që mund të përdoret nga çdo tip të lëkurës, edhe për atë sensitive, është KLAIRS Freshly Juiced Vitamin Drop.

  • Acidet Alpha Hydroxy (AHAs)

Në formulimet e produkteve të markave koreane janë edhe acidet me veti eksfoliuese, siç është AHA. Acidet alpha hydroxyl janë të llojeve të ndryshme, si: acidi glikolik, acidi laktik dhe acidi malik. Në varësi të formulimit të tyre, mund të përdoren në përditshmëri ose disa herë në javë. Ato ndihmojnë në eksfolimin e butë të lëkurës, duke nxjerrë në pah qelizat e reja të saj, për një lëkurë më të lëmuar dhe të butë. Produktet me AHA, ka të shumta në koleksionin tonë, por do të veçoja, dy prej tyre: janë tamponët e njomur në eksfoliues NEOGEN DERMALOGY Lift PHA Gauze Peeling, me limon, çaj jeshil, ose verë të kuqe

dhe COSRX AHA 7 Whitehead Power Liquid.

  • Mukoza nga kërmilli

E si mund të mos listoja një nga perbërësit “kult” të K-Beauty?! Mukoza e marrë nga kërmilli, ose ndryshe sekrecioni i filtruar i kërmillit… Ky përbërës mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në mirëqënien dhe përmirësimin e shumë problematikave të lëkurës. Konsistenca e tij pak ngjitëse përmban peptide, që nxisin prodhimin e kolagjenit, acidin hialuronik për një hidratim të thellë dhe acidin glikolik, për të hequr qelizat e vdekura dhe për të rigjeneruar lëkurën. Me përdorimin e produkteve me sekrecion kërmilli, do ta ndjeni lëkurën të tërhequr, më të lëmuar dhe të butë! Një nga produktet më të pëlqyera kohët e fundit nga ju është kremi i linjës Snail Bee, Benton Snail Bee High Content Steam Cream.

Gjjithashtu edhe linja e famshme me esencën dhe kremin me përmbajtje sekrecion kërmilli, nga marka COSRX.

  • Ekstrakti nga çaji jeshil

Çaji jeshil është shumë popullor dhe konsumohet shumë në vendet aziatike, ashtu si edhe në Korenë e Jugut. Ai njihet për vetitë e tij të fuqishme antioksiduese, por gjithashtu edhe si një përbërës shumë efikas, për kujdesin e lëkurës. Vetitë e tij janë antioksiduese, duke ndihmuar në riparimin dhe në mbrojtjen e dëmtimeve nga radikalet e lira. Gjithashtu ka veti qetësuese, anti-inflamatore, duke ndihmuar lëkurën të duket me e qetë dhe e gjallë. Ndërsa kafeina, komponent përbërës i tij, ndihmon në çentjen e lëkurës. Mund të provoni dy produkte si larësi ujor, Neogen Real Fresh Green Tea Cleanser

dhe të gjithë linjën Fundamental Water nga marka Klairs.

 

 

  • Ekstrakti i rrënjës së bimës Licorice (jamballi)

Një tjetër përbërës shumë i famshëm i K-Beauty, që njihet për efektet e tij zbardhuese në lëkurë, është ekstrakti nga rrënja e bimës licorice. Ky përbërës natyral përmban glabridin dhe liquirtin, dy elementë kimik, që luftojnë seriozisht hiperpigmentimin e lëkurës, si: njollat që formohen nga kalimi i moshës, ato post-akne (PIH), ato nga dëmtimi i rrezatimit diellor, madje edhe melazma. Ashtu si çaji jeshil, edhe ekstrakti nga rrënja e bimës licorice, ka veti antioksiduese, për të mbrojtur lëkurën nga dëmtimi prej radikaleve të lira të shkaktuara nga dielli apo ndotja mjedisore. Dy produkte shumë të veçanta nga koleksioni ynë, për nga përbërja e tyre janë toneri: ROVECTIN Skin Essentials Activating Treatment Lotion

dhe serumi THE PLANT BASE Time Stop Collagen Ampoule.

  • Ginseng

Së fundi, le të flasim për rrënjën e ginseng-ut dhe përdorimin e tij në produktet e përkujdesjes së lekurës. Përdorimi i tij daton shumë herët në mjekësinë Koreane, por gjithashtu edhe si përbërës me benefite të kënaqshme për mirëqënien e lëkurës. Ky përbërës është i pasur me vitamina B1, B2 dhe B12, gjithashtu edhe me minerale shumë të ushqyeshme për lëkurën. Produktet e formuluara me këtë perbërës do t’ju ndihmojnë në tërheqjen e lëkurës, mbushjen e rrudhave, si edhe në çenjten e qeskave dhe zbardhjen e rrathëve të zinj poshtë syve. Produktet që ju sugjeroj, janë maska “sheet mask” INNISFREE My Real Squeeze Mask Ginseng dhe BB Cream MISSHA Choboyang BB Cream SPF30 PA++.

 

Uroj shumë t’ju kem ndihmuar jo vetëm në gjejtjen e produkteve të duhura, sepse produkte ka pafund, por më së shumti të njihni përbërësit e duhur, që t’i dalloni në produktet që do të zgjidhni për lëkurën tuaj! Dhe luftën maratonamake ndaj shenjave të moshës!

Përqafime të shumta,

Yvana

SHIKO PRODUKTET

“Dëshirojmë që përkujdesja e lëkurës të jetë një eksperiencë relaksuese dhe argëtuese për çdokënd.
Produktet e Koral Secrets, janë përzgjedhur dhe testuar një nga një me shumë vëmendje, për t’i dhënë zgjidhje çdo problematike të lëkurës...
Ne besojmë se, vetëm duke e njohur lëkurën, mund të zbulosh bukurinë në(n) të!”

Y.Z