CILAT JANË GABIMET MË TË SHPESHTA NË TRAJTIMIN E AKNEVE?
Ka shumë arsye për ekzistencën e mitit se shfaqja e akneve ndodh dhe zgjat vetëm gjatë adoleshencës, madje në gjuhë popullore, aknet ne i quajmë, si “puçrrat e moshës”. Por fatkeqësisht, ky është thjesht një mit, sepse një përqindje e konsiderueshme e njerëzve që vuajnë nga ato, janë adult. Dhe me shumë gjasë duke patur këtë bindje, se aknet i atribuohen një moshe të caktuar, bën që shumë, të cilët kanë vuajtur apo vazhdojnë të sfidohen nga aknet, kanë ose janë duke bërë shumë gabime në trajtimin dhe kurimin e tyre.
Pra, si fillim duhet të bindemi që gjithkush mund të ketë akne. Është më se normale. Por, me këtë nuk dua të them, që aknet nuk janë shqetësuese, të bezdisshme dhe se nuk bëjmë çmos për t’i zhdukur me të gjitha mënyrat e mundshme. Prandaj, sot kam vendosur t’ju listoj gabimet më të shpeshta, që mund të bëhen në kurimin e tyre, në mënyrë që t’i shmangni.
Ngacmimi apo të prekurit e akneve
Kudo dhe nga kushdo e dëgjojmë shprehjen e famshme: “Mos i prek puçrrat!” apo “Mos i shtyp puçrrat!”. Të gjithë e dimë që nuk duhet, apo jo? Por a i ndalojmë dot duart? Me shumë mundësi jo, sepse është një veprim shumë, po shumë tundues. Por, ekzistojnë shumë arsye se pse çdo tentativë ngacmimi të tyre, e përkeqëson situatën.
Aknet janë plagë të infektuara, dhe kur përpiqemi të nxjerrim qelbin apo që është krijuar në folikul, ato do të përkeqësohen, dhe do të duken akoma edhe më keq! Duke i ngacmuar do të dëmtojmë poret duke shkaktuar shenja dhe gropëza, apo siç quhen cikatrice. Gjithashtu, mund të nxitet infeksioni, nga papastërtitë që mund të kenë duart apo thonjtë. Një opsion më i mirë do të ishte vendosja e një trajtimi topik si: NEOGEN Dermalogy A-Clear Soothing Pink Eraser, me përmabajtje calamine (medikament), vaj esencial të pemës së çajit (tea tree oil), dhe 4 lloje të ndryshme ekstraktesh të bimës Centella Asiatica, për të qetësuar inflamacionin dhe skuqjen.
Një opsion tjetër shumë komod janë ngjitëset (patches) nga COSRX: Acne Pimple Master (për përdorim gjatë natës) dhe Clear Fit Master Patch (për përdorim gjatë ditës, duke qënë se janë shumë të holla dhe gati të padukshme).
Mos pastrimi i fytyrës ose pastrimi i shpeshtë
Gjatë një ditë të plotë, lëkura kalon nga shumë peripeci. Makeup, djersitje, baktere nga duart tona apo objekte të ndryshme si syze, telefoni apo edhe nga faktorë të jashtëm, pluhuri dhe smogu, që sigurisht bllokojnë poret e saj. Për përsonat me tendencë akneike, shumë studime të viteve të fundit nga dermatologë të ndryshëm, sugjerojnë pastrimin e fytyrës dy here në ditë, si edhe metodën pastrimin e dyfishtë.
Nga ana tjetër duhet shmangur teprimi i pastrimit të lëkurës. Larja e shpeshtë sjell dehidratimin dhe heqjen e yndyrës natyrale dhe të nevojshme të lëkurës. Ajo do të thahet, dhe në këtë mënyrë për kompesim do të nxis prodhimin e yndyrës, duke provokuar akne të tjera. Një larës fytyre me përmbajtje acid salicilik, do të ndihmonte në kurimin dhe parandalimin e shpërthimeve akneike.
COSRX Low-pH Good Morning Cleanser, do të ishte ideal për lëkurën e yndyrshme dhe me akne aktive!
Ndërsa një larës i parë, vajor: PURITO From Green Cleansing Oil, që ndihmon në pastrimin e poreve të bllokuara nga sebumi i tepërt dhe papastërti të tjera të ngecura, duke parandaluar formimin e pikave të zeza dhe të bardha.
Pastrimi i fytyrës gjatë larjes në dush
Ndoshta për shumë prej jush larja e fytyrës gjatë bërjes së dushit është shumë praktike, “një herë e dy punë”, apo jo? Por, uji i nxehtë dhe presioni i tij nga tubi i dushit, ndikon negativisht duke e tharë, irrituar dhe skuqur lëkurën. Dermatologët sugjerojnë larjen e fytyrës me ujë të vakët, dhe duke e shplarë atë shumë butësisht. Gjithashtu, përdorimi i peshqirëve është një veprim agresiv për lëkurën, e sidomos për atë problematike. Hiqeni ujin e tepërt nga fytyra juaj me duar, ose me peceta njëpërdorimshme pambuku me lëvizje shumë të butë.
Trajtimi “i ashpër” i akneve
Aknet janë plagë, dhe në përpjekjen tonë për t’i shëruar sa me shpejt, në të shumtën e rasteve nuk i trajtojmë për atë që janë. Eksfolimi fizik mbi akne mund të nxisë shpërndarjen e infeksionin në të gjithë fytyrën, prandaj është e rëndësishme të dëgjojmë atë dhe konditën në të cilën ajo ndodhet, dhe duke e eksfoliuar ashtu siç duhet. Gjithashtu, duhet të tregoheni të kujdesshëm (këtë ja them shpesh vetes), të mos e mbi-eksfolioni atë. Eksfolimi i moderuar dhe i butë bën të mundur pastrimin e poreve dhe parandalimin e infeksionit të tyre, por teprimi sjell irritim të lëkurës, duke e bërë këtë të fundit vulnerable ndaj baktereve dhe infeksioneve të rënda. Nëse keni tendencë “mbi-eksfolimi”, ju sugjerojmë tonerin e përditshëm me BHA (acid saicilik), BENTON Aloe BHA Skin Toner!
Mos hidratimi!
Hidratimi është pjesë shumë e rëndësishme e përkujdesjes së lëkurës, keni apo jo akne. Por, veçanërisht për personat me tendencë akneike. Ekziston një koncept i gabuar se mënyra e duhur për të “zhdukur” aknet, është tharja e lëkurës dhe heqja e lagështisë apo sebumit natyral të saj. Por, e vërteta është shumë ndryshe, sepse hidratimi ndihmon në balancimin e mbiprodhimit të yndyrës, edhe pse të them të vërtetën edhe vetë më është dashur shumë kohë për ta pranuar këtë fakt. Kur lëkura dehidratohet dhe thahet, poret e saj dhe gjendrat e yndyrës nxiten për të prodhuar yndyrë për të kompensuar atë të humbur. Madje nëse jeni duke u trajtuar me benzol peroksidi apo acid salicilik, që kanë tendencë tharje të saj, duhet të gjeni hidratuesin e duhur për ta mposhtur thatësinë.
I'M FROM Vitamin Tree Water Gel dhe KLAIRS Fundamental Water Gel Cream janë kremra hidratues të mrekullueshëm për tendencën akneike, duke i ofruar hidratim të plotë, por pa e rënduar lëkurën.
Madje ky i fundit përmban çaj jeshil dhe vitamina me efekt antioksidues, duke tkurrur poret dhe ulur irritimin.
Trajtimi i akneve vetëm pasi janë krijuar
Trajtimet topike janë të mrekullueshme, por nuk janë një zgjidhje me efekt afat-gjatë. Ndonjëherë as me efekt afat-shkurtër. Nëse keni tendencë të akneve, duhet të bëni disa ndryshime në stilin e jetës, në mënyrë që të ulni apo zhdukni këtë tendencë të formimit të tyre. T’ju jap një shembull shumë konkret? Ndërrimi në mënyrë të përditshme të këllëfit të jastëkut ose mos përdorimi i produkteve të shumta për flokët si: xhel, llak etj. Personalisht nëse nuk jam e kujdesshme në këto dy raste, më duhet të mirëpres disa akne në faqe apo rrëzë flokut! Kini kujdes edhe në zgjedhjen e produkteve si: shampoo & conditioner të flokëve, me përbërës jo të dëmshëm dhe agresiv.
Të mos qënurit konsisent
Rutina e përkujdesjes së lëkurës është JETIKE në luftën kundër akneve në terma afatgjatë. Shumë marka premtojnë trajtimin në kohë rekord, mundësisht brenda natës, por e vërteta është se trajtime të tilla shpesh janë shumë të ashpra, agresive dhe me tendencë tharje të lëkurës. Prandaj, mbani një rutinë të përditshme, duke u bazuar në rregullin e përpjestimit të drejtë të “pastrimit të thellë-hidratim”! Gjithashtu, një regjim i shëndetshëm ushqimor dhe në përgjithësi një stil jete, larg ushqimit “junk”, duhanit dhe alkolit janë një fillim i duhur!
Të mos dëgjuarit të sinjaleve që jep lëkura
Lëkura është një nga organet e vetme në organizmin tonë, që shfaq në mënyrë të menjëhershme problematikën që mund të ketë. Mbase tingëllon çuditshëm, por kështu funksionon. Nëse diçka nuk funksionon në të ashtu siç duhet, ajo do ta shfaqi duke treguar irritim, djegie apo skuqje. Disa produkte mund të japin në lëkurë ndjesinë e pickimit, dhe nëse kjo ndjesi nuk ndalon sipas udhëzimeve të produktit, që zakonisht pas 2 javësh përdorim duhet të ndodh, atëherë lëkura po flet dhe po tregon se ai produkt nuk është i përshtatshëm për të. Tregon se ajo po reagon ndaj një alergjie të mundshme. Një këshillë nga unë, nisni përdorimin e produkteve të reja me ngadalë. Bëni si fillim një “Patch Test”, (testojeni përbërjen e produktit në kyçin e dorës ose mbrapa veshit). Mbani mend produktet dhe rutinat nuk mund të bëjnë mrekulli brenda natës. Mund të filloni të shikoni rezultat pas disa javësh ndoshta edhe pas disa muajsh, por për të pasur një lëkurë të shëndetshme ja vlen çdo përpjekje, apo jo? Një rutinë që doja t‘ju sugjeroja sigurisht do të përmbante 10 hapa, por duke i qëndruar faktit se produktet duhen testuar dhe krijimi i një rutinë, duhet nisur me hapa të ngadaltë, zgjidhja e duhur do të ishte: Seti "5 hapa për aknet & kontrollimin e yndyrës”.
Të mos bërit të një kërkimi dhe hulumtimi personal
Interesimi ndaj përbërjes apo përbërësve nuk duhet bërë vetëm për produktet ushqimore që konsumojmë, por për çdo produkt që vendosim në lëkurë, e aq më tepër kur kemi problematikë me të. Duhet të lexoni dhe informoheni për përbërjet, hulumtimet dhe studimet e fundit shkencore, dhe këtë informacion kemi fatin për t’a aksesuar lehtësisht në ditët e sotme! Nëse makeup-i, hidratuesi, apo kremi mbrojtës ndaj diellit nuk shkruan në paketim “non-comedogenic”, ose se nuk i bllokon poret e lëkurës, atëherë gjasat, që këto produkte t’ju shkaktojnë akne janë shumë të mëdha.
Si përfundim…
Të trajtuarit të duhur dhe në mënyrë efikase të akneve jo gjithmonë mund të arrihet nga një intuitë e mirë, por gabimet në trajtimin bëhen shumë shpesh. Sigurisht janë disa rregulla që dëgjojmë shpesh, si aknet nuk duhen prekur dhe ngacmuar. Por, nuk besoj se e dëgjoni shpesh faktin se lëkurën do të duhet ta hidratoni thellësisht. Të qënurit vigjelent sesi veprimet në jetën tonë të përditshme mund të ndikojnë në shpërthimet akneike që na ndodhin, është mënyra e duhur për të pasur një lëkurë të shëndetshme dhe pa akne!
Përqafime të përzemërta,
Yvana