SPF 365 DITË TË VITIT! (SI E KRIJOVA NJË RUTINË AZIATIKE TË PËRKUJDESJES SË LËKURËS, PJESA II)
Përshëndetje të gjithëve, nga zemra!
Kam parë një interes të madh nga ana juaj në leximin e artikujve të blog-ut tonë dhe përveçse t’ju falenderoj, do të isha shumë e lumtur, nëse gjithçka kam shkruar, t’ju ketë ardhur në ndihmë! Në këtë mënyrë funksionojnë të gjitha vajzat me njëra-tjetrën… Ndajmë shqetësimet tona dhe zgjidhjet i gjejmë, po tek njëra-tjetra!
Por, tani le të kthehemi te lëkura… Në artikullin e kaluar, ju fola sa shumë më ka përmirësuar procesi i pastrimit të dyfishtë, lëkurën time! Për mua, është baza e një përkujdesjeje që në fund, sjell mbi të gjitha, REZULTAT!
Rezultat të dukshëm për mua, që kur nisa të përkujdesesha me “mënyrën koreane”, (dhe jam kaq e lumtur që e aplikoj në fytyrën time), ka kremi mbrojtës ndaj diellit, ndaj rrezeve aq shumë të dëmshme të tij! Ne kemi fatin të jetojmë në një vend ku dielli mbretëron pothuajse çdo ditë gjatë vitit, në çdo stinë e në çdo rrethanë… Vitaminën D, aq të nevojshme për organizmin dhe shëndetin tone, e aktivizojmë pa shumë mundim apo jo? Po rrezeve të tij të dëmshme, çfarë duhet t’i bëjmë?
SPF 365 DITË TË VITIT!
Për mua dhe besoj për shumë prej jush, ka qenë dhe është shumë e vështirë të gjesh një krem të tillë që është i lehtë, që nuk e rëndon dhe e yndyros lëkurën gjatë ditës… Pas një periudhe shumë të gjatë në kërkim të kremit mbrojtës (që përveç çfarë përmenda më sipër, të mos më shkaktonte as akne) hoqa dorë përfundimisht prej tij, dhe nuk e përdora më, deri para dy vitesh, tek nisa të studioja sa e rëndësishme ishte mbrojtja ndaj diellit. Sigurisht, u ndesha me produktet koreane aq shumë premtuese. Por, që të jem e vërtetë, mbrapa mendjes sime ekzistonte koncepti, që gjithçka ishte thjesht marketing!
Tanimë, kam bindjen e plotë se mbrojtja ndaj rrezeve të dëmshme të diellit, është çelësi i përkujdesjes dhe parandalimit të problemeve të ndryshme të lëkurës! Që në vegjëli, jemi mësuar me konceptin e “kremit të plazhit’, që e përdorim VETËM në plazh, që të rëndon në trup, që të krijon ndjesinë e vapës dhe ajo rëra aq e bezdisshme që të ngjitet në trup… Pas kaq vitesh, mendoj se të paktën ne vajzat duhet ta heqim këtë mendësi të gabuar dhe të kuptojmë sa e rëndësishme është mbrojtja ndaj diellit për të patur një lëkurë të shëndetshme!
Dëmtimi që i shkaktojmë lëkurës gjatë ekspozimit në diell pa u mbrojtur, është plakja e parakohshme (e studiuar shkencërisht), si rrudhat dhe njollat, por edhe sëmundja e kancerit aq e dhimbshme.
Mos e shikoni mbrojtjen ndaj diellit si një përkujdesje që duhet bërë vetëm gjatë verës, është shumë e rëndësishme të bëhet zakon e rutinës sonë të mëngjesit, sepse rrezet ultraviolet (UV) nuk pyesin as për stinë, as për motin, ato depërtojnë dhe shkaktojnë dëmin e tyre.
Shkencërisht kemi dije se ekzistojnë dy tipe rrezesh ultraviolet, UV: UVA & UVB.
Rrezet UVB janë përgjegjëse për nxirjen, djegien dhe kancerin e lëkurës, pra mbrojtja edhe vetëm për këtë fakt është e mjaftueshme. Por, ajo që na shqetëson tani ne vajza, është të mos i shkaktojmë as probleme të dukshme lëkurës si plakja, rrudhat, njollat apo hiperpigmentimi, dhe për të gjitha këto shkaktarë janë rrezet UVA.
Deri këtu besoj se ju binda, por si t’ju bind nëse kremi juaj me SPF, është shumë i rëndë për përdorim të përditshëm? E sigurisht, një vajzë që e ndaloi së përdoruri dhe tani e ka bërë domosdoshmëri në jetën e saj, do të di t’ju ndihmojë, si thoni? Përgjigja ime, kremrat koreanë! I adhuroj, i dua, i kam nevojë dhe e ndjej kaq mirë lëkurën pas dy vitesh që i përdor çdo ditë, po po, çdo ditë… Edhe kur qëndroj me orë të tëra në zyrë, edhe kur qëndroj në shtëpi, kudo dhe kurdo! Mos kujtoni se duke qëndruar në makinë apo në ambjente të mbyllura, këto rreze nuk depërtojnë. Arrijnë më së miri prandaj mos u gënjeni!
Mbrojtja ndaj diellit është hapi më i rëndësishëm në përkujdesjen e lëkurës. Besojeni apo jo, por edhe duke përdorur serumet anti-rrudhë më të shtrenjtë e më të mirë, pa u mbrojtur nga dielli, nuk do mundeni të parandaloni plakjen apo të përmirësoni lëkurën.
Dermatologët këshillojnë të përdoren kremra mbrojtës ndaj diellit me SPF30, duke u mbrojtur rreth 97% nga rrezet UVB. Spektri më i lartë se 30, do t’ju mbrojë pak më shumë, por koha e mbrojtjes do të jetë më e gjatë, prandaj zgjidhni SPF50 për ta zgjatur kohën e mbrojtjes. Nëse shumë kremra mbrojtës shënojnë vetëm filtrat SPF, që i korrespondojnë filtrave mbrojtës ndaj rrezeve UVB, kremrat koreanë shfaqin edhe filtrat mbrojtës PA ndaj rrezeve UVA (që shkaktojnë më së shumti plakjen & hiperpigmentimin e lëkurës). Gjithmonë, shikoni të ketë sa më shumë + si psh.: PA++++.
Për KORAL SECRETS, kam zgjedhur kremra mbrojtës për të gjithë nevojat dhe tipet e lëkurës. Nëse doni krem mbrojtës që ta përdorni edhe si krem hidratues ju sugjeroj PURITO, i cili përmban 70% ujë dhe 3 përbërës esencial si Centella Asiatica, që qetëson lëkurën dhe ndihmon në prodhimin e kolagjenit. Dhe COSRX, me përbërësin e famshëm të sekrecionit të filtruar të kërmillit, që e rigjeneron lëkurën në mënyrë të hatashme. Nëse keni nevojë për krem me përbërje shumë të lehtë dhe me efekt mat, atëherë MISSHA, do të ishte zgjedhja e duhur edhe falë përbërjes së tij me çaj jeshil dhe ekstraktit të lules së krizantemës, të cilët e mbrojnë lëkurën nga radikalet e lira që shkaktojnë shenja të moshës.
Për vajzat që vuajnë nga njollat aq të bezdisshme dhe hiperpigmentimi i lëkurës dhe duhet ta riaplikoni disa herë gjatë ditës, ju këshilloj mbrojtësit e diellit në formë stick, si ABIB, i cili përmban peptide dhe ceramide, që forcojnë barrierën e lëkurës, ose MISSHA CICADIN, risia e të cilit është formulimi i tij me dy përmbajtje të ndryshme. Njëra pjesë në ngjyrë jeshile, përmban 25% ekstrakt nga bima Centella Asiatica, që shërben për të shëruar e qetësuar lëkurën e irrituar dhe të lodhur nga rrezet UV. Pjesa tjetër me ngjyrë të bardhë, ka një konsistencë të lehtë, përthithet shumë shpejt, dhe jep ndjesi freskie pas aplikimit. Gjithashtu, është një bazë shumë e mirë për makeup-in sepse nuk lë asnjë njollë të bardhë në lëkurë. Formulimi i saj me medikamentin green celamine, ekstrakt i bimës Centella Asiatica, qetëson lëkurën e irrituar dhe ul temperaturën e vatrave të nxehta të saj, ku nuk do ta keni bezdi ta aplikoni sipër makeup-it duke mos e shpërbërë fare atë.
Dhe sigurisht, s’mund të harroja vajzat si unë, me lëkurë të yndyrshme, që gjatë ditës e ndjejmë yndyrën të shfaqet me atë shkëlqimin aq të tmerrshëm… Keni dëgjuar për mbrojtës ndaj diellit në formë pudre? Ju a kam gjetur… MAXCLINIC. Përveç rolit të tij mbrojtës ndaj diellit, mund të përdoret edhe si pudër që mban në kontroll sebumin dhe yndyrën e tepërt, madje edhe si mbulues ndaj njollave.
Si thoni vajza, a ka gjithçka më shumë kuptim tani?
Mbroni lëkurën tuaj, mbroni shëndetin e lëkurës tuaj, duke e shijuar diellin gjithmonë, duke u mbrojtur prej tij!
Mbroni veten, dhe duajeni veten sa më shumë!
Përqafime,
Yvana