SI E KRIJOVA NJË RUTINË AZIATIKE TË PËRKUJDESJES SË LËKURËS (PJESA I)
Përkujdesja për lëkurën në mënyrë më specifike nisi shumë herët për mua… Siç ju kam thënë edhe më parë, si pasojë e shfaqjes së akneve në adoleshencën time rreth moshës 13-vjeçare, nisi rrugëtimi im i gjatë për ta përmirësuar atë, e tanimë ka arritur në atë pikë sa është bërë pasioni im!
Për mua dhe vërtet mendoj se për çdokënd që has probleme me lëkurën e vetë në një periudhë të caktuar të jetës, kjo gjë ja ngarkon shumë vetëbesimin e tij… Në anën tjetër vetëbesimi lidhet me gjithçka tjetër në jetë, apo jo?
Dermatologia ime e dashur, që ka qenë edhe psikologia ime personale në këtë rrugëtim, më thoshte gjithmonë që duhet të bëhesha mjekja e vetes… Të njihja lëkurën time, të kuptoja problematikën e saj edhe nga ana mjekësore, ta trajtoja dhe t’i jepja “ushqimin” dhe “kurën” e duhur, dhe sëfundmi të kuptoja çdo shenjë që më jepte kur diçka apo ndonjë faktor e përkeqësonte.
Pas një hulumtimi të gjatë disa vjeçar, u ndesha me filozofinë koreane të përkujdesjes së lëkurës… Ajo çka më pëlqen më së shumti është se mund ta përshtasësh sipas nevojave, dëshirës, mënyrës së jetesës dhe sigurisht sipas kohës që çdokush do t’i jap një përkujdesje të tillë, si ajo për lëkurën. Përbërjet natyrale dhe sa më të buta duke mos e irrituar lëkurën aspak dhe sigurisht inovacioni i tyre, më bindin çdo ditë e më shumë për të mirën që po i ofroj lëkurës sime!
Eksperimentimi, duke provuar sa më shumë produkte, përbërës, është mënyra e vetme që mund arrish të kuptosh vërtet çfarë bën dhe çfarë jo për ty. Me këtë dua të them, që s’ke pse dekurajohesh kur një produkt që një mikes tënde i rri shumë mirë, duhet patjetër t’i përshtatet edhe lëkurës tënde. Ka vend për gabime gjatë kësaj rruge, prandaj me këtë projekt si KORAL SECRETS, kam dashur të jap një qasje komplet ndryshe për përkujdesjen e lëkurës… Dua të ndihmojmë sadopak, për të qënë udhërrëfyes për secilën prej jush, për të marrë më të mirën, dhe për të bërë sa më pak gabime në zgjedhjet e produkteve.
Së pari, duhet kuptuar problematika e lëkurës dhe pikërisht çfarë është ajo që doni të përmirësoni tek ajo. Problematikat mund të jenë të ndryshme, si: aknet, dehidratimi dhe tharja e lëkurës, plakja apo hiperpigmentimi i saj, ndjeshmëria e pakët deri te ajo shumë e theksuar …
Së dyti, përpiquni të fusni në rutinën tuaj pak nga pak produkte të reja, dhe jo një gamë shumë të gjërë përnjëherë, që edhe në rastin e një produkti që mund të mos reagojë mirë me lëkurën tuaj, ta kuptoni dhe të mos fajësoni të gjithë gamën e tyre.
Ky artikull dhe disa të tjerë në vazhdim, do të doja të ishin një udhëzim për të kuptuar bazat e mia të forta që kam përshtatur në rutinën time, sigurisht të frymëzuara nga filozofia e bukurise koreane dhe shtyllat që ajo mbështetet…
Nuk e di nëse keni dëgjuar për metodën e “pastrimit të dyfishtë”, por për mua ka qenë zbulimi dhe zgjidhja më e mirë për pastrimin sa më të thellë të lëkurës sime, si dhe mbajtjen në kontroll të shpërthimeve akneike, aq të bezdisshme!
Pastrimi i dyfishtë, do të thotë pikërisht pastrim dy herë, ndoshta ju duket e çuditshme, por më besoni, vetëm nëse do e aplikoni vetë, do të kuptoni përmirësimin që do të ndjeni në lëkurën tuaj!
Të pastroni lëkurën është një domosdoshmëri tanimë prej makeup-it që përdorim, filtrave mbrojtës ndaj rrezeve të dëmshme të diellit që përmban kremi mbrojtës, papastërtive të ambjentit dhe smogut… Një domosdoshmëri e leverdisshme!
HAPI 1 I PASTRIMIT TË DYFISHTË
Larësi Vajor besoj është investimi i parë që duhet t’i bëni lëkurës suaj dhe sigurisht nëse aplikoni kremin mbrojtës ndaj diellit gjatë ditës, nuk duhet t’i ndaheni! Kur përdorni mbrojtje ndaj diellit me filtra si kimik dhe fizik, duhet patjetër t’i hiqni në fund të ditës në mënyrë shumë të mirë. Sikur vetëm një natë të neglizhoni e të mos e pastroni mirë fytyrën tuaj, mund të shkaktojë bllokim të poreve me papastërti dhe t’i krijoni irritim asaj. E nuk mbaron këtu, një tjetër arsye që duhet përdorur larësi vajor, është se lëkura duhet të jetë e pastruar thellësisht në mënyrë që produktet e tjera që do të aplikoni si: esenca, serumi apo kremi hidratues, të mund të japin efektin maksimal të tyre. Nga ana tjetër, vetëm larësit ujorë, nuk arrijnë dot të shpërbëjnë makeup-in apo filtrat e kremit mbrojtës ndaj diellit. Përveç këtyre arsyeve, shikojeni si një ritual relaksi, edhe si një mundësi masazhimi të fytyrës tuaj, duke çlodhur muskujt e saj.
Përdorimi i tij është shumë i lehtë, masazhojeni në lëkurë të thatë për 60 sekonda dhe shpëlani fytyrën me lëvizje rrethore. Në kontakt me ujin ai (larësi vajor) emulsifikohet (kthehet në formë qumështi për t’u shpëlarë sa më lehtë).
Larës vajor ka pafund në treg, markat përpiqen dhe investojnë në formulime sa më inovative dhe sa më të përshtatshme për tipologji të ndryshme lëkurash… Rekomandimi im, nga koleksioni I KORAL SECRETS, është INNISFREE Apple Seed Cleansing Oil, që ka qenë zbulim edhe për mua… Sepse përshtatet aq mirë me çdo tip lëkure, falë përbërjes së tij me vaj esencial nga fruti i mollës jeshile, i pasur me vitamina dhe acid organik, që bën të mundur pastrimin e thellë dhe eksfolimin e lëkurës nga qelizat e vdekura. Si edhe me vajin esencial të bërthamave të saj, që bën të mundur hidratimin sa më të mirë të lëkurës. E, nëse përdorni makeup të rëndë, ose maskara rezistente ndaj ujit (waterproof), është zgjidhja perfekte për pastrimin e zonës së syve pa e irrituar aspak atë.
HAPI 2 I PASTRIMIT TË DYFISHTË
Larësi ujor është pastrues fytyre me bazë uji, sigurisht gjerësisht i përdorur nga të gjithë, por shpesh hasim vështirësi në gjejtjen e të duhurit, në mënyrë që mos na shkaktojë tharje të lëkurës. Vite më parë, kërkoja larës të përshtatshëm për lëkurën time të yndyrshme, dhe sigurisht tregu kishte shumë mundësi zgjedhjeje, por përherë përfundoja me larës që ma thanin fytyrën në mënyrë shumë agresive. Imagjinoni fytyrat me tendencë në të thatë, sa shumë vuajnë për të gjetur larës, që nuk ua than atë. Pas diskutimesh me dermatologen dhe hulumtimeve të mia, kuptova se një lëkurë e yndyrshme, kurrsesi nuk duhet “tharë”… Ajo e ka një mosfunksionim duke mbiprodhuar yndyrë, dhe duke ia hequr plotësisht atë, më shumë se e ndalon prodhimin e saj, i jep sinjalin gjëndrave të yndyrës, se depozitat i ka të boshatisura e prandaj ajo nxit akoma dhe më shumë prodhimin e saj.
Gjithmonë, kini parasysh të gjeni larës ujor me pH të ulët që t’i afrohet sa më shumë pH normal të lëkurës, për të mos i larguar lagështinë që e ka aq të nevojshme. Dhe derisa t’ju jap një sugjerim për larësin ujor, dua t’ju shpjegoj rolin e tij në pastrimin e dyfishtë.
Larësi ujor është hapi i dytë i pastrimit të dyfishtë dhe këshillohet nga dermatologë e specialistë të fushës së përkujdesjes së lëkurës, sepse ndihmon në pastrimin e thellë të saj. Larja e fytyrës dy herë rradhazi, do t’ju fal ndjesinë që s’ka mbetur asgjë, asnjë mbetje në poret e saj, që mund të shkaktojë irritim, shpërthim aknesh apo akumulim të qelizave të vdekura në fytyrë. Përpiquni të zgjidhni larës jo me bazë sapuni, por sa më të lehtë dhe sa më hidratues për lëkurën. Këtë rradhë sugjerimi im është ROVECTIN Skin Essentials Conditioning Cleanser ! Nuk dua të ndalem tek marka ROVECTIN, se mund të flas pafund për të dhe me sa gëzim e kam futur në koleksionin e KORAL SECRETS, por do t’ju tregoj vetëm një detaj, që mendoj se thotë shumë… Formulimet e produkteve të kësaj marke, janë prodhuar posaçërisht për pacientë të sëmundjeve të tumorit, që si pasojë e rrezeve të kimioterapisë, lëkura e tyre vuan dhe shfaq hipersensitivitet. Ky larës ka formulim hipoalergjik, i përshtatshëm për të gjithë tipet e lëkurës, falë nivelit të tij të pH 4.5-6.5, duke e lënë lëkurën të pastër dhe të hidratuar, falë edhe acidit hialuronik që ka në përbërjen e tij.
Në artikujt e tjerë në ditët në vijim, do të flasim edhe për disa elementë të tjerë thelbësor të përkujdesjes së lëkurës, që mendoj se do vlejnë edhe për ju ashtu siç kanë ndryshuar dhe përmirësuar lëkurën time!
Deri atëherë…
Duajeni veten dhe kujdesuni për të!